BiblioTech

  • Posted on: 29 July 2020
  • By: unicef

BiblioTech: Transformimi i bibliotekave publike në funksionale



“BiblioTech: Transformimi i bibliotekave publike në funksionale” është një iniciativë e Bashkisë Tiranë dhe UNICEF Shqipëri, në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën Shqiptare për një Zhvillim të Qëndrueshëm (ASDO). Nisma ka për qëllim të transformojë katër biblioteka të Tiranës në laboratorë teknologjie për fëmijë, të rinj dhe komunitetin në përgjithësi.

Inkubatorët do të jenë mundësi e shtuar për aftësimin e fëmijëve dhe të rinjve lidhur me digjitalizimin, sigurinë online, etj.

Katër biblioteka ekzistuese, “Hamit Beqja”, Musine Kokalari”, “Misto Treska” dhe “Aleksandër Moisiu” do të shndërrohen në inkubatorë funksionalë për fëmijë e të rritur të apasionuar pas Teknologjisë së informacionit dhe Komunikimit. Nisma ka për qëllim të përfshijë masivisht fëmijët dhe të rinjtë dhe t’u japë një mundësi startup-eve dhe bizneseve të vogla që të zhvillojnë më tej projektet e tyre në fushën e TIK-ut.

Katër bibliotekat e përfshira në program do të zgjerojnë hartën e Friendly Wi-Fi në Tiranë, filtrat e të cilit mbrojnë fëmijët dhe të rinjtë nga shfaqja e pornografisë me të rritur dhe materialet abuzuese seksuale me të mitur. Përgjatë ecurisë së vet, nisma do të fokusohet edhe në informimin dhe ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe prindërve se ata mund të lundrojnë të sigurt në internet, në mjediset e bibliotekave.

“BiblioTechs” do të shërbejnë edhe si ambiente të përshtatshme për sesione informuese, workshop-e dhe aktivitetete të tjera që kanë lidhje me teknologjinë dhe janë në shërbim të komunitetit.