Pyetjet më të shpeshta

1. Çfarë është Friendly Wi-Fi?
Friendly Wi-Fi është një simbol i njohur ndërkombëtarisht çertifikimi për wi-fi publik. Simboli Friendly Wi-Fi të tregon vendndodhjen ku, ky shërbim përmbush standardet e çertifikimit.
Në mjediset e çertifikuara ku shfaqet simboli “Friendly Wi-Fi”, filtrohet qasja ndaj pornografisë së fëmijëve, ndaj imazheve dhe videove me përmbajtje abuzive dhe të dhunshme, si dhe ndaj faqeve të bllokuara nga Internet Watch Foundation, si faqe që përmbajnë pamje të papërshtashme për ta.
2. Cili institucion e ka ndërmarrë nismën “Friendly Wi-Fi Albania”?
Nisma “Friendly Wi-Fi Albania”, e cila vjen si bashkëpunim i bashkive më të mëdha në vend dhe zyrës së UNICEF në Shqipëri, mundëson përdorimin e internetit falas, të filtruar nga informacioni i dëmshëm dhe i paligjshëm online, për të mbrojtur fëmijët dhe familjet e tyre.
Bashkia e Tiranës, është e para Bashki në rajon, që tashmë zotëron çertifikatë, për të ofruar “Friendly Wi-Fi”.
3. Pse duhet t’a përdorim “Tirana Friendly Wi-Fi”?
Ju duhet të përdorni “Tirana Friendly Wi-Fi”sepse:
• interneti po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në jetën e fëmijëve;
• interneti është një mjet i fuqishëm, që ndikon rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve dhe të rinjve;
• Wi-Fi është duke u përhapur me shpejtësi, gjendet kudo dhe shpesh është falas;
• në vend të "kontrollit të fëmijës", ne ju ofrojmë një mundësi filtrimi "miqësore për fëmijët dhe familjet”.

4. Ku mund të aksesoj Friendly Wi-Fi në Shqipëri?
Aktualisht ju mund të aksesoni internet falas dhe të sigurt tek Parku i Liqenit të Tiranës dhe tek Pedonalja “Murat Toptani”, Tiranë. Bashkia Tiranë, me mbështetjen e UNICEF Shqipëri, është duke punuar me operatorët kryesorë të shërbimit të internetit për të mundësuar një shtrirje interneti pa pagesë, të sigurt dhe të shpejtë në të gjitha hapësirat publike të Tiranës.
5. A është çertifikimi “Friendly Wi-Fi” i vlefshëm për bizneset që aktualisht ofrojnë wi-fi falas në ambjentet e tyre?
Çertifikimi është i disponueshëm për çdo biznes, organizatë ose institucion arsimor në të gjithë botën, të cilët ofrojnë Wi-Fi. Nga ana tjetër, Friendly Wi-Fi ka lidhur partneritete edhe me ofruesit e shërbimit të internetit në mbarë botën. Për të marrë çertifikimin, ose diskutuar një bashkëpunim të mundshëm, klikoni www.friendlywifi.com