Pazari i Ri dhe bizneset i bashkohen nismës “Friendly Wi-Fi Tirana” për internet të sigurt për fëmijët dhe qytetarët

  • Posted on: 12 February 2020
  • By: admin
UNICEF dhe Bashkia Tiranë përuruan ditën e enjte datë 13 shkurt 2020, ora 15.00, në mjediset e Pazarit të Ri pikën e radhës të aksesit të internetit të sigurt “Friendly Wi-Fi” në këtë zonë. Aktiviteti “Klientë të mbrojtur në Pazar – Internet falas dhe i sigurt” bëri së bashku autoritete shtetërore, përfaqësues të shoqërisë civile dhe biznesit, dhe qytetarë të cilët diskutuan mbi rëndësinë e krijimit të një mjedisi digjital të sigurt për fëmijët dhe adoleshentët. Ky event nxiti diskutime rreth mënyrave teknologjike që ekzistojnë për mbrojtjen e klientëve teksa lundrojnë në internetin e biznesit duke ushtruar përgjegjësi sociale përmes bashkimit me nismën “Friendly Wi-Fi Albania” si një masë mbrojtëse dhe parandaluese ndaj këtyre rreziqeve. Fëmijët më tepër se për kontroll dhe kufizim në aksesin në internet kanë nevojë për internet që i garanton një lundrim të sigurt. “Friendly Wi-Fi Albania” është zgjidhja e problemit! Si një shërbim i certifikuar ndërkombëtarisht, ai mundëson që përmbajtja online të filtrohet nga materialet e paligjshme dhe pornografia. Në Shqipëri, kjo risi vjen nga UNICEF, si rezultat i zbatimit të programit të organizatës për garantimin e sigurisë online për fëmijët. E veçanta e këtij eventi ishte se, për herë të parë në vend, kësaj nisme i bashkohen edhe bizneset. “Friendly Wi-Fi” u lejon sipërmarrësve të rrisin përgjegjësinë e tyre sociale ndaj klientëve duke u lejuar atyre të lundrojnë të sigurtë dhe të qetë, në ambientet e tyre. Përkatësisht, “Sophie Bar Coffee”, një prej rrjeteve më të mëdhenj të bar-kafeve në Shqipëri i bashkohet nismës sonë “Friendly Wi-Fi” për një internet të sigurt. Gjatë këtij aktiviteti ndërgjegjësues të pranishmit dhe qytetarët u përfshinë në lojra dhe quiz-e edukative, si dhe aktivitete të tjera argëtuese. Pazari i ri ishte pika e radhës së aksesit të internetit të sigurt publik e certifikuar nga “Friendly Wi-Fi”. Më herët gjatë 2019, UNICEF dhe Bashkia Tiranë, përuruan pikat pranë “Parkut të Liqenit Artificial” të Tiranës, zonës së pedonales “Murat Toptani”, “Sheshit Skendërbej” dhe “Qytetit Studenti”. UNICEF Albania dhe Bashkia Tiranë kanë si qëllim të ndërgjegjësojnë adoleshentët, prindërit dhe komunitetin mbi rëndësinë e ofrimit të internetit të sigurt për fëmijët dhe familjet jo vetëm në vende publike por edhe në mjediset familjare. Rritja e kërkesës për internet të sigurt u lejon fëmijeve të rriten dhe zhvillohen të mbrojtur në epokën e zhvillimeve teknoligjike dhe digjitale. UNICEF, me mbështetjen financiare të programit “T’i japim fund dhunës kundër fëmijëve”, do të vazhdojë të zgjerojë konceptin e “Friendly Wi-Fi” me pika të tjera aksesi të internetit të sigurtë në qytetet e tjera të Shqipërisë, me qëllim angazhimin në mënyrë aktive të fëmijëve dhe adoloshentëve, si krijuesit më të mirë të ndryshimit.