Sheshi Skënderbej i shtohet zonave të tjera të Tiranës që ofrojnë akses interneti të sigurt për fëmijët dhe qytetarët

Tiranë, 22 Nëntor 2019 - UNICEF dhe Bashkia Tiranë përuruan sot pikën e pestë të aksesit të internetit të sigurtë “Friendly Wi-Fi” në Sheshin Skënderbej.

“Friendly Wi-Fi” është një shërbim i çertifikuar, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i cili mundëson që përmbajtja online të filtrohet nga materialet e paligjshme dhe pornografia. Në Shqipëri, kjo risi vjen nga UNICEF, si rezultat i zbatimit të programit të organizatës për garantimin e sigurisë online për fëmijët. Nisma ka për qëllim t’u ofrojë familjeve dhe fëmijeve një alternativë më të sigurtë dhe të përshtatshme gjatë lundrimit të tyre në internet. Që nga periudha qershor-tetor 2019, në zonën pranë liqenit artificial Friendly Wi-Fi Albania bllokoi mesatarisht për muaj:43,000 kërkesa për të hyrë në faqet e internetit me përmbajtje vetëm për të rriturit dhe afro 4,000 imazhe me përmbajtje pornografie dhe abuzim seksual të fëmijëve si dhe 150 faqe të papershtatshme në web site.

E pranishme në këtë event, ishte dhe Anisa Ruseti, nënkryetare e Bashkisë Tiranë e cila u shpreh: “Shumë e lumtur që falë kontributit të Albtelecom, sot Sheshi Skenderbej i shtohet hapësirave, ku bashkë me UNICEF kemi bërë të mundur Child Friendly Wi-Fi. Eshte detyra jonë, të sigurohemi se ata po lundrojnë të sigurtë për mirëqenien e tyre sociale, psikologjike dhe qetësinë e prindërve të tyre.”

Gjatë fjalës përshëndetëse, Roberto De Bernardi, Përfaqësues i UNICEF Albania, vuri theksin në rëndësinë dhe rolin e padiskutueshëm të Albtelecom Albania, si partneri më strategjik në industrinë e TIK-ut. “Albtelecom Albania, po vendos një standard të ri në sektorin privat për përgjegjshmërinë sociale drejt mbrojtjes dhe mirëqenies së fëmijëve. Ne po punojmë, drejt zgjerimit të hapësirave #FriendlyWiFi në vendet e tjera publike, edhe në qytete te tjera dhe do të vazhdojmë, të avancojmë përpjekjet dhe të ndërgjegjësojmë, rreth sigurisë të fëmijëve online" u shpreh De Bernardi. Tahsin Yilmaz CEO i Albtelecom, në cilësinë e institucionit që mbështet financiarisht mundësimin e kësaj pike aksesi, u shpreh: “Ne, në ALBtelecom jemi shumë krenarë që i kemi dhuruar Bashkisë dhe qytetarëve të Tiranës Wi-Fi falas në dy zonat më të njohura të qytetit si Liqeni i Tiranës dhe Sheshi Skënderbej. Ne jemi veçanërisht krenarë që në bashkëpunim me UNICEF ofrojmë Wi-Fi falas miqësor dhe të filtruar me standardet më të larta ndërkombëtare.”

UNICEF dhe Bashkia Tiranë përuruan pikën e pestë të aksesit të internetit të sigurtë “Friendly Wi-Fi” në Sheshin Skënderbej. Gjatë aktivitetit ndërgjegjësues mbi rreziqet në internet dhe mënyrat e mbrotjes, prindër, mësues, adoleshentë dhe fëmijë u prezantuan me mënyrën se si funksionon “Friendly Wi-Fi”, përmes përfshirjes në lojra dhe quizze edukative. Qytetarët u ftuan gjithashtu të shtonin në hartën e konceptuar të Tiranës se ku do të dëshironin të vendosnin pikën e aksesit të radhës të “Friendly Wi-Fi”, ku zona më e preferuar nga qytetarët ishte bulevardi i ri. UNICEF, me mbështetjen financiare të programit “T’i japim fund dhunës kundër fëmijëve”, do të vazhdojë të zgjerojë konceptin e “Friendly Wi-Fi” me pika të tjera aksesi të internetit të sigurtë në qytetin e tjera të Shqipërisë, me qëllim angazhimin në mënyrë aktive të fëmijëve dhe adoloshentëve, si krijuesit më të mirë të ndryshimit.