Tirana me dy pika të reja aksesi të internetit të sigurt, në shërbim të të rinjve, familjeve dhe bizneseve

Tiranë, 1 Nëntor 2019 – Bashkëpunimit mes UNICEF Shqipëri dhe Bashkisë Tiranë, si dhe me mbështetjen e kompanisë Tring, për një internet të sigurt në shërbim të të rinjve dhe familjeve të kryeqytetit, i shtohen edhe dy pika të reja të aksesit të internetit të sigurt “Friendly Wi-Fi”, përkatësisht në zonën e Pazarit të Ri dhe pranë Qytetit Studenti. Bashkë me këto dy pika të reja kryeqyteti bëhet në total me katër pika aksesi interneti të sigurt përmes platformës “Friendly Wi-Fi” Albania, ku fëmijët dhe familjet mund të aksesojnë internet të sigurtë, pa u shqetësuar se mund të hasin në rrjet përmbajtje abuzive dhe pornografike. Pika e parë e aksesit, e cila ndodhet në zonën e Pazarit të Ri, do t’i shërbejë aktiviteteve të biznesit të frekuentuara më së shumti nga familjarë dhe fëmijë, si dhe turistëve të shumtë që vizitojnë kryeqytetin. Ndërkohë që në kampusin e Qytetit Studenti, ky shërbim do t’i ofrohet më së shumti të rinjve që jetojnë dhe studiojnë pranë kësaj zone. “Friendly Wi-Fi” është një shërbim i çertifikuar, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i cili mundëson që përmbajtja online të filtrohet nga materialet e paligjshme dhe pornografia. Në Shqipëri, kjo risi vjen nga UNICEF, si rezultat i zbatimit të programit të organizatës për garantimin e sigurisë online për fëmijët. Nisma ka për qëllim t’u ofrojë familjeve, fëmijeve, të rinjve dhe bizneseve të frekuentuar më së shumti nga grupmoshat e reja, një alternativë më të sigurt dhe të përshtatshme gjatë lundrimit të qytetarëve të rinj në internet. UNICEF, me mbështetjen financiare të programit “T’i japim fund dhunës kundër fëmijëve”, do të vazhdojë të zgjerojë konceptin e “Friendly Wi-Fi” me një pikë tjetër aksesi të internetit e cila po planifikohet të përurohet së shpejti pranë sheshit “Skënderbej”.