Tirana me një pikë të re aksesi të internetit të sigurtë, në shërbim të fëmijëve dhe familjeve

Tiranë, 18 korrik 2019 – UNICEF dhe Bashkia Tiranë përuruan pikën e re të aksesit të internetit të sigurt “Friendly Wi-Fi” në zonën e pedonales “Murat Toptani”. Kjo është pika e dytë në qytetin e Tiranës, ku fëmijët dhe familjet mund të aksesojnë internet të sigurt, pa u shqetësuar se mund të hasin në rrjet përmbajtje të papërshtatshme. Pika e parë e aksesit, e cila ndodhet në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës, u përurua në muajin prill. 

Gjatë aktivitetit ndërgjegjësues mbi rreziqet në internet dhe mënyrat e mbrotjes, prindër, mësues, adoleshentë dhe fëmijë të moshave të ndryshme u prezantuan me mënyrën se si funksionon “Friendly Wi-Fi”, si dhe u përfshinë në lojrat edukative dhe aktivitetet argëtuese. 

“Friendly Wi-Fi” është një shërbim i çertifikuar, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, i cili mundëson që përmbajtja online të filtrohet nga materialet e paligjshme dhe pornografia. Në Shqipëri, kjo risi vjen nga UNICEF, si rezultat i zbatimit të një programi më të gjerë rreth sigurisë online për fëmijët. Nisma ka për qëllim t’u ofrojë familjeve dhe fëmijeve një alternativë më të sigurtë dhe të përshtatshme gjatë lundrimit të tyre në internet.

Roberto De Bernardi, përfaqësuesi i UNICEF në Shqipëri falenderoi Bashkinë e Tiranës dhe ABCom për kontributin e tyre në zgjerimin e hapësirave “miqësore” me wi-fi falas në qytetin e Tiranës si dhe në punën e përbashkët për të mbrojtur fëmijët nga rreziqet që mund të hasin në internet.

Përfaqësuesi i Bashkisë në Tiranë Ermir Puka u shpreh se kjo është nismë që ndihmon Wi-Fi publike në Tiranë që të jenë më “miqësorë” me fëmijët. Nepërmjet filtrave te vendosur nga ABCOM, prinderit dhe femijet jane te sigurt se materialet e dëmshme si pornografia nuk mund të aksesohen më. 

UNICEF, me mbështetjen financiare të programit “T’i japim fund dhunës kundër fëmijëve”, do të vazhdojë të zgjerojë konceptin e “Friendly Wi-Fi” me pika të tjera aksesi të internetit të sigurtë në qytetet kryesore të vendit, me qëllim angazhimin në mënyrë aktive të fëmijëve dhe adoloshentëve, si krijuesit më të mirë të ndryshimit.